Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - qershor 2024
Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - qershor 2024
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - qershor 2024 kapën vlerën 11,880 milionë lekë, ose 7.55% më shumë se në janar - qershor 2023. Gjatë muajit janar - qershor 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 699,453 me një rritje prej 9.62% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.31% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.64% dhe risigurimi me 0.048% .Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 44.08% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.92% të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar - qershor 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,124 milionë lekë, ose 24.53% më shumë se në periudhën janar - qershor 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar - qershor 2024 kapën vlerën 2,910 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 20.84% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar - qershor 2024 arritën rreth 6,643 milionë lekë, ose 9.49% më shumë se në periudhën janar - qershor 2023.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar - qershor 2024, pati një rritje prej 11.15% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 10.77% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar - qershor 2024 pati një rritje prej 0.82% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 20.47% krahasuar me periudhën janar - qershor 2023.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar - qershor 2024, pati një rritje 3.91% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar - qershor 2023. Edhe numri i kontratave u rrit me 4.68%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar - qershor 2024 arritën rreth 5,236 milionë lekë, 5.19% më pak se në periudhën janar - qershor 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.74 % krahasuar me periudhën janar - qershor 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar - qershor 2024, patën një rritje me 3.30% kundrejt muajit janar - qershor 2023.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar - qershor 2024 siguruan mbi 2,353 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 73.91%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 18.11% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar - qershor 2024, vihet re një rritje prej 1.30% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 2.96% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - qershor 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar - qershor 2024, arritën në rreth 786 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.26% në krahasim me periudhën janar - qershor 2023.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar - qershor 2024, arritën rreth 1,027 milionë lekë, ose 14.39% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë muajit janar - qershor 2024 u rriten me 24.53 krahasuar me janar - qershor 2023. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,910 milionë lekë, apo 70.56% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
| Emërtimi | Vlerat (në 000 lekë) | Ndryshimi | |
| (në %) | |||
| janar - qershor | 2023 | 2024 | 24/`23-1 |
| Dëmi mesatar | |||
| MTPL e brendshme | 180 | 156 | (12.85) |
| Karton Jeshil | 662 | 868 | 31.15 |
| Kasko | 128 | 115 | (10.32) |
Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar - qershor 2024, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.
Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar - qershor 2024, ju lutemi klikoni këtu.
Shqip
English