24 Janar 2025

Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për vitin 2024

Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për vitin 2024
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2024 kapën vlerën 24,505 milionë lekë, ose 7.03% më shumë se në viti 2023. Gjatë vitit 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,595,687 me një rritje prej 8.84% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.51% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.45% dhe risigurimi me 0.043% . Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.55% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.45% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 8,656 milionë lekë, ose 24.38% më shumë se në viti 2023.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për vitin 2024 kapën vlerën 6,239 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 30.17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2024 arritën rreth 15,058 milionë lekë, ose 7.71% më shumë se në vitin 2023.

Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2024, pati një rritje prej 9.27 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.06% krahasuar  me një vit më parë.

Produkti Karton Jeshil në vitin 2024 pati një rritje prej 3.06% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 20.34% krahasuar me vitin 2023.
Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2024, pati një ulje 9.44% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2023. Edhe numri i kontratave u ul me 9.31%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë viti 2024 arritën rreth 9,447 milionë lekë, 5.95% më shume se në vitin 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 5.24 % krahasuar me   viti 2023.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë vitit 2024, patën një rritje me 4.58%  kundrejt vitit 2023.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë vitit 2024 siguruan mbi 3,908 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 66.82%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 21.83% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë vitit 2024, vihet re një rritje prej 4.33% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.04% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2023.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë vitit 2024, arritën në rreth 1,392 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 1.45% në krahasim me vitin 2023.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2024, arritën rreth 2,070 milionë lekë, ose 11.36 % më shumë se një vit më parë.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2024 u rriten me 24.38% krahasuar me vitin 2023. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 6,239 milionë lekë, apo 72.07% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
viti 2023 2024 24/`23-1
Dëmi mesatar
MTPL e brendshme  168  156 (7.11)
Karton Jeshil  530  892 68.36
Kasko  130  113 (12.85)

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për vitin 2024, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për vitin 2024, ju lutemi klikoni këtu.
 
 

[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet objekt Fond i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit